Arbër Ismajli: Akuzat e opozitës janë shpifje të kulluara

24.07.2014 (komentet: 0)

 

 Akuzave të pabaza dhe të shpifjeve të vazhdueshme të këshilltarit komunal të Gjilanit nga radhët e PDK-së Riad Rashiti në drejtim të qeverisjes së kryetarit të Komunës së Gjilanit z. Lutfi Haziri, i është përgjigjur shefi i Kabinetit të kryetarit Haziri, Arbër Ismajli.

 

“Ne e kemi thirrur këtë press konferencë, jo për t’u marrë me dikë që as katundi i tij nuk merret më sepse ka rënduar çdo cep të rrugës ku ka ecur, por për të dhënë disa sqarime para qytetarëve tanë që na kanë besuar këtë qeverisje të mirë dhe të pastër që është duke ndodhur nën qeverisjen e kryetarit Haziri. Nga momenti që edhe varrezat e qytetit kanë filluar t’i pengojnë këtij njeriu të pashpresë për jetë dhe punë, ne patëm vendosur që nuk do të reagojmë më në prononcimet banale që ai bënë, mirëpo sot na ka shtyrë të dalim me këtë press konferencë gënjeshtra që ai njeri e thotë në natën e madhe të Kadrit, në natën e lutjeve të mëdha që secila shtëpi, secila familje gjilanase lutet për shëndet dhe harmoni para Zotit të vet”, ka thënë Ismajli në konferencën për media.

Paraprakisht, Ismaji ka prezantuar fakte të keqpërdorimeve të mëdha dhe gjendjen kaotike që është gjetur institucioni i Komunës më 24 dhjetor përmes sllajdeve, për vlerësuar akuzat e disa personave nga opozita si gënjeshtra të kulluara.

“Paramendoni deri ku shkon niveli i tij si këshilltar, përgatitë gjoja një dosje dhe e dërgon në prokurori një inicim që është bërë për tek varrezat e qytetit. Ka dërguar një inicim që kryetari vet e ka anuluar dhe skandali më i madh i tij është kur në prokurori dërgon një kontratë kornizë të një kompanie krejt private, që në realitet na shtynë të mendojmë që ndoshta edhe aty kanë pasur aksione të shumta biznesi, sikurse në secilin vend që e kishin pas uzurpuar dhe masakruar sa kanë qenë në pushtet.

Pa pikë morali flet për një ankand, i cili është shpallur në mënyrën më profesionele që është e mundur, duke respektuar te gjitha rregullat dhe ligjet e këtij vendi, vetëm e vetëm për të shpifur diçka dhe për t’i hequr ndoshta mendjen qytetarëve tanë që vijnë nga diaspora dhe nga të gjitha viset e Kosovës, të cilët krenohen me punën që është duke e bërë kryetari Haziri në këto shtatë muaj qeverisje, kur e dimë që ka paguar as më pak e as më shumë se afro 2 milionë euro borxhe të trashëguara nga ish-qeverisja, pjesë e të cilit ishte ky gënjeshtarë”, ka deklaruar shefi i Kabinetit të Lutfi Haziri, Arbër Ismajli.

Ismajli ka shtuar se “ne jemi më se të vetëdijshëm që reagimi ynë e forcon atë në strofullin e vetë të quajtur shtëpizë e braktisur, mirëpo jemi të detyruar të reagojmë sepse gënjeshtrat e kanë fundin e vetë, ndërsa të gjithë e dinë se cili është fundi i një gënjeshtari te sojit siç është ai dhe shokët e tij”.

Kthehu mbrapa

Shto koment