Anulimi i testit duhet të jetë argumentuar, në anën tjetër kërkojmë menaxhim shumë më të mirë

01.06.2016 (komentet: 0)

Fehmi Sylejmani, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se vendimi i MASHT-it për anulimin e testit të arritshmërisë për komunën e Gjilanit është i pa argumentuar, pa fakte dhe pa dëshmi, si kundër edhe pa ndonjë evidencë për parregullsi të mbarëvajtjes së testit.

 

 

“Nga ajo që ne kemi mësuar, dëgjuar dhe publikuar nga mediet, ky vendim nuk është i mbështetur në argumente faktike. Në këtë rast kjo mënyre e anulimit ka shkaktuar konfuzitet dhe disponimi jo të këndshëm për rreth 2 mijë semimaturantë të komunës së Gjilanit si dhe për të tërë komunën. Gjilani njihet si një vatër tejet e çmuar e arsimit dhe me rezultate kulmore nëpër gara të fushave të ndryshme”, thotë Sylejmani.

 

Sipas tij, nëse janë të vërteta dëshmitë e ministrisë, atëherë po krijohet stres për fëmijët, ngarkesë psikologjike, mashtrim për fëmijët, mashtrim për prindërit dhe familjen, mashtrim për të gjithë ne dhe keq edukim për fëmijët.

 

“Dikush duhet me dhënë përgjegjësi për këtë rast, sepse i ka dhënë imazh jo të mirë arsimit në përgjithësi në komunën e Gjilanit, si kundër që më së paku janë fajësuar nxënësit që kanë qenë të edukuar dhe të disiplinuar e të shkëlqyeshëm gjatë tërë mbarëvajtjes së testit. Mbase nxënësit fillojnë kohë më parë të mendojnë për mënyrat e mundshme të kopjimit gjatë testit, duke ju ngulitur një qasje shumë e gabueshme e kësaj forme jo edukative dhe jo e drejtë”, thotë Sylejmani i Vetëvnedosjes.

 

Sipas tij, po bëhet luftë për rezultate mashtruese, luftë për rezultate artificiale dhe të fryra, e që më pas ky mashtrim optik, kinse me pikë ta larta dhe rezultate të mira në testin e arritshmërisë po reflektohet në shkollat e mesme, meqë një pjesë e konsideruar e nxënësve, jo vetëm që nuk arrijnë të jenë nxënës të shkëlqyeshëm, por mbase edhe përfundojnë me nota negative, si kundër që ka raste të shpeshta nxënësit më problematikë dalin më pikë më të larta se nxënësit e shkëlqyeshëm, që është një absurditet.

 

“Ose duhet të ketë menaxhim të mirë ose të hiqet tërësisht ky test dhe t’ju lihet shkollave të mesme të përpilojnë provime pranuese, sepse ky fenomen i kopjimit kohëve të fundit ka marrë hov të madh”, ka thënë Fehmi Sylejmani, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kthehu mbrapa

Shto koment