Anamorava po zbrazet heshtas

14.12.2014 (komentet: 0)

Anamorava po zbrazet, në Drenicë s’ka ikje

Është shumë e dhimbshme kur dikush lutet që t’i ndihmohet dhe kur kërkojnë që certifikatave t’u vihen fotografi për të kaluar kufirin, sikurse edhe vërtetime për identitetin, thotë Agim Velekinca, shef  i Shërbimit të Gjendjes Civile në Gjilan.

Enver Sadiku

Një nënë po u blinte katër fëmijëve të saj çizme e rrobe të ngrohta dhe po i këshillonte ata që t’i marrin më të përshtatshmet, ngase siç u thotë ajo, rruga që do të marrin do jetë e gjatë dhe me plot vështirësi. Ajo teksa paguan në arkë sikur në lavd thotë se do të dalin jashtë vendit. “Burrit i kanë thënë se është një pjesë ku do të duhet me ec në këmbë e unë vendosa t’u blejë rroba të reja se rrugës s’i dihet. I kishin thënë se duhet me dal tash se mas Vitit të Ri po u mbyllke azili, nuk po epshin më”, i tregonte kjo grua rreth të pesëdhjetave arkëtares, e cila as që e kishte pyetur atë.  Në fshatrat e brezit kufitar, ndër fshatarë nuk flitet gjë tjetër, veç se kush shkoi dhe sa kanë mbetur. “Prej Bilinicës kishin shkuar 30 familje, nga Pogragja mbrëmë u nisën 20 të rinj, disa të Malishevës i kishin kthye, në shkolla po mungojnë nga 6-7 nxënës, Serbia ka lidh marrëveshje me shtetet e Evropës për t’i zbraz shqiptarët, ky shtet po jep e ai tjetri nuk po jep azil....”, janë këto fjalë të përditshme që dëgjohen ndër banorë të Gjilanit. Në komunën e Gjilanit nuk ka ikje me autobusë, por këtu po shfrytëzohet një rrugë tjetër. Nëpërmjet Dobrasinit, Muqibabës e Konqulit, po dalin në Serbi, me taksi e kombibus, të cilët po i presin në të hyrë matanë kufirit e prej aty po vazhdojnë me autobusë serbë, por edhe me kombibusë e vetura private, të cilat po i dërgojnë deri në kufi me Hungarinë dhe krejt këtë udhëtim po e bëjnë me të holla. Nuk ka shkollë në komunën e Gjilanit që sivjet nuk ka më pak nxënës, diku më pak janë dhjetë, gjashtë e katër, por gjendja më e keqe është nëpër shkollat e fshatrave, ku një nxënës më pak po të thotë shumë, ngase edhe ashtu shkollat thuajse janë bosh.

Vehid Ibrahimit nga fshati Muqibabë, iu ka mbushur mendja që të dal jashtë vendit. Ai thotë se verës i ishte djeg shtëpia dhe që prej atëherë banon në shkollën e fshatit pa kurrfarë kushtesh. Sipas tij, pesë familje janë bërë gati që të dalin në Preshevë e prej aty drejt Hungarisë e edhe ai po mundohej që nga gazetarët të sigurojë shkrimet që dikur ishin bërë për të, në mënyrë që ato kur të largohet t’i ketë si dëshmi.

Askush nuk e di numrin se sa qytetarë janë larguar deri më tashti, por se numri i tyre është i madh kjo më së miri shihet para zyrave të Shërbimit Civil Komunal në Gjilan. Në këto ditë të vjeshtës së vonë, nuk është kohë kur në Gjilan kthehen mërgimtarët, të cilët dinë të bëjnë radhë të gjata para sporteleve për marrjen e dokumentacionit civil. E megjithatë radhë të gjata ka para sporteleve, bile pritje ka që nga orët e para të mëngjesit, por edhe pas kohës së pauzës. Në Gjilan ka interesim të shtuar port t’u pajisur me dokumentacion civil e sidomos fluks i madh është për certifikata të lindjes. Agim Velekinca, shef i Shërbimit të Gjendjes Civile në Gjilan, thotë se kohëve të fundit ka fluks të madh për t’u pajisur me certifikata e ekstrakte dhe siç shton ai janë mësuar me këtë problematikë kur kthehen mërgimtarët, por tashti nuk është koha e tyre. Një i ri, teksa mban në dorë një certifikatë lindjeje kërkon edhe një tjetër, bile me fotografi në krye, duke kërkuar që ajo t’i vuloset. Ai insiston edhe pas këshillave se certifikata që e ka është valide. “Nuk dua që të më kthejnë”, thotë i riu, që shihet qartas se do t’ia mësyjë kufirit.

Agim Velekinca, thotë se janë në dijeni që janë shpeshtuar rastet që po lëshohet vendi, por siç shton ai, ata janë të obliguar t’i ofrojnë shërbime të gjithë atyre që i kërkojnë. Sipas tij, ai ka vizituar tri zyrat që lëshojnë certifikata dhe që në të tria ka fluks të madh të qytetarëve që kërkojnë shërbime.

“Po na shkon mendja që mos t’u japim shërbime, duke e ditur se përse po i përdorin. Po na dhemb zemra kur i shohim se të gjithë janë të moshës së re, fëmijë, njerëz me halle, nga Gjilani, Vitia e Dardana”, thotë një punëtor i shërbimit të ofiqarisë, i cili megjithatë shton se është i obliguar që të kryej shërbime. E shefi i tij, Agim Velekinca, thotë se që në mëngjes ka para 20 deri në 30 persona që po prisnin para derës deh atij kjo ia ka kujtuar kohën kur përballeshin me tollovi të mëdha shkaku i programit të ri të gjendjes civile, kohë kur kishte filluar sistemimi i ri i certifikatave të lindjes, martesave e vdekjes.

“Është shumë e dhimbshme kur dikush lutet që t’i ndihmohet dhe kur kërkojnë që certifikatave t’u vihen fotografi për të kaluar kufirin, sikurse edhe vërtetime për identitetin”, thotë Agim Velekinca, shef  i Shërbimit të Gjendjes Civile në Gjilan.

Në komunën e Gjilanit vendi po zbrazet heshtas, jo si në komunat tjera me autobusë. Gjilani është shumë afër me Preshevën e Bujanocin, deri aty qytetarët po dalin në mënyrë individuale e prej aty, më pas ka mënyra të tjera për të arritur deri te kufiri me Hungarinë. Krejt kjo po ndodh para syve të pushtetarëve që vazhdojnë të heshtin.

Kthehu mbrapa

Shto koment