Aliu: Kuvendi po funksionon mirë, po i përmbush objektivat

01.05.2014 (komentet: 0)

Nisur nga shprehja se “Dita e mirë duket që në mëngjes”, atëherë ka vend për shpresë se kjo përbërje e Kuvendit Komunal të Gjilanit do të funksionojë mirë dhe do të përmbushë objektivat, ka thënë për Portalin 2Lonline, Avdyl Aliu, shef i Grupit të Këshilltarëve (GK) të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Aliu tha se nga dhënia e betimit e deri më tani janë mbajtur gjashtë seanca të Kuvendit Komunal (përfshirë këtu edhe seancën inauguruese) çka do të thotë se është përmbush obligimi i cili rrjedh nga Ligji për Vetëqeverisje Lokale (LVL) sipas të cilit Kuvendi Komunal duhet të mbajë së paku 5 seanca brenda gjysmës së parë të vitit.

 

Ai tha se kanë arritur që të bëjnë konstituimin dhe funksionalizimin e të gjitha komiteteve përbërja e të cilave është reflektuar nga rezultati i zgjedhjeve dhe duke pasur parasysh edhe përfaqësimin gjinor . Aliu thotë se në përgjithësi ekziston një frymë e mirë dhe tolerante në mes të të gjitha grupimeve politike në Kuvendin Komunal 

“Si parti në pushtet kemi treguar vullnet të mirë ndaj opozitës duke ju dhënë hapësirë të pakufizuar kohore në punimet e Kuvendit duke e shkelë nganjëherë edhe rregulloren e punës në lidhje me marrjen e fjalës , pra nuk kufizohemi në rregullore dhe ata kanë mundësi të marrjes së fjalës dhe të shprehjes sa të duan”, ka thënë Shefi i GK të LDK-së, Avdyl Aliu

Për këtë arsye, shton ai, tash edhe ndodhë që seancat e Kuvendit Komunal të Gjilanit të zgjasin 6-7 orë, e që do të thotë deri sa të shteren të gjitha diskutimet.

“Duhet të pranojmë faktin se nganjëherë ish partinë në pushtet PDK-në po e qesim në pozita të palakmueshme duke bërë krahasime nga aspekti financiar i periudhave kohore të njëjta për vitet e ndryshme ( siç ishte rasti në seancën e fundit i Flakës së Janarit e cila në vitin 2011 ka kushtuar 77.887,00 euro ndërsa në vitin 2014 ka kushtuar 28.605,62 euro dhe tremujorit Janar-Mars ku nga krahasimi del se në vitin 2014 kemi shpenzuar afërsisht 800.000,00 euro më pak duke e krahasuar me vitin 2012). Këto krahasime po ju shkaktojnë nervozë, dhimbje dhe humbje të kontrollit mbi ndjenjat dhe emocionet, e vërteta nganjëherë dhemb dhe atë duhet ta durojmë”, shprehet Aliu.

Kthehu mbrapa

Shto koment