A po e shtyjnë “numrat” për statut, Hazirin ta rishikojë koalicionin?!

10.10.2014 (komentet: 0)

 

Kreu i komunës së Gjilanit, njëherësh dhe kryetar i degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka paralajmëruar të premten se do të rishikojë koalicionin që është në bashkëqeverisje me komunën e Gjilanit, duke dërguar sinjal kështu që mund të ketë edhe ndryshime.

 

 

Përndryshe, Kuvendi Komunal i Gjilanit ka 35 këshilltarë. LDK si parti fituese ka trembëdhjetë këshilltarë, partneri i saj më i madh, AAK-ja, ka katër këshilltarë, në opozitë janë dy subjekte PDK me shtatë këshilltarë dhe Vetëvendosje me katër, si dhe shtatë këshilltarë u takojnë subjekteve të ndryshme, prej të cilave LDK pat deklaruar se ka marrëveshje me disa prej tyre (PD, LR, KDTP, Vatra).

 

Ndonëse nuk u tha nga Haziri, megjithatë çështja e sigurimit të 2/3 të votave në Kuvend nga pozita, për t’i kaluar ndryshimet statutare që parashihen, për momentin duket “mision i pamundshëm” dhe ndoshta paralajmërimet e tilla për rishikim koalicioni, tani nga Haziri nuk janë gjë tjetër pos një lloj trysnie ndaj partnerëve “të padëgjueshëm’.

 

Kjo problematikë tek tabori pozitë u pa edhe nga seanca e fundit, ku përkundër që çështja e ndryshimeve statutare, ishte në rend dite, qysh në fillim të seancës, nga kryesuesja u kërkua dhe më pas edhe u heq nga rendi i ditës, me arsyetimin se ka ende punë komisioni dhe se për një çështje të tillë të rëndësishme nevojitet seancë e veçantë, gjë që ishte mohuar nga opozita, e cila kishte deklaruar se mungesa e votave po e detyron pozitën ta heq këtë çështje nga rendi i ditës.

 

Përndryshe, kur jemi te kjo çështje, pikërisht edhe deklaratat e sotme e kreut të Komunës Lutfi Hazirit për rishikim të koalicionit, mund të deshifrohet me atë se mund të kemi të bëjmë me një lloj presioni ndaj partnerëve që duket se po tregohen “kryeneç”, dhe nuk po ofrojnë mbështetjen bllanko, por, po e shohin këtë si një “mundësi e artë”, për të bërë presion edhe ata, në ruajtje apo marrje të hises, që vlerësojnë se ju takon duke qenë partnerë me partinë më të madhe në pushtet, por që nuk iu është ndarë deri më tani.

 

LDK-ja dhe Haziri si duket kanë problem pikërisht me marrje ne mbështetjes për ndryshime statutare nga këshilltarët që janë të vetëm në Kuvend e që thamë se janë shtatë sosh.

 

Po ta shohim përbërjen e atij “shtatëshe”, shohim se pothuajse që të gjithë kanë kërkesa të njohura që nuk u janë realizuar dhe pikërisht mbështetje e ndryshimeve statutare ku për dallim, prej çështjeve tjera nevojiten 2/3 e votave, e shohin si mundësi e bërjes presion, dhe të realizimit të atyre çështjeve.

 

Njëri ndër partnerët e LDK është edhe Lëvizja Republikane që ka një këshilltar komunal Jonuz Hasani, por që kuadri i saj përkatësisht kreu i kësaj lëvizje Selver Xhelili tani drejton Drejtorinë e Inspeksionit që pikërisht me statutin e ri parashihet të shuhet. Si duket me këtë nuk është dakord Xhelili, i cili mund të kërkojë pozitë më të mirë, në të kundërtën nuk do të pajtohet me shuarje të drejtorisë, e me këtë rast edhe këshilltari i LR-së, Jonuz Hasani, nuk do të jap votë pro statutit të ri, pra pro shuarjes së drejtorisë në fjalë.

 

Po ashtu, mendohet se edhe dy këshilltarët komunal prej minoriteteve, ai turk, Renan Imami nga KTDP dhe ai serb, Srgjan Mitroviq-ZEP, mund të kërkojnë poste të zëvendëskryetarëve apo edhe zëvendëskryesuesëve të KK-së ( për komunitete) dhe edhe ata mund të luajnë në këtë kartë, ndonëse sipas ligjit mbi qeverisjen lokale nuk u takojnë ato poste, nëse nuk përbëjnë të paktën 10 për qind të popullsisë së përgjithshme.

 

Pastaj, kemi edhe këshilltarin tjetër Ismet Hajdinin i cili po ashtu mund ta sheh rast të mirë për “pazare’, votën e tij pro ndryshimeve satatutare. Hajdini aktualisht është pjesë e AKR-së, por më parë sa ishte në PSD, është thënë se edhe me atë është arrit një marrëveshje.

 

Bile, është thënë edhe publikisht se ka marrëveshje LDK- PSD, pa kushte, por burimet e 2L ONLINE brenda PSD-së, kanë pohuar se është menduar se megjithatë, ndonëse jo ndonjë drejtori, për shkak të fuqisë së PSD-së, është synuar së paku që Hajdini të jetë në krye të QKMF-së dhe në Kuvend pastaj të lirohet vendi për një kandidati tjetër të PSD-së sipas radhitjes, gjë që nuk ka ndodhur dhe Hajdinit mund të i ketë ngelur hatri dhe të mos i ketë kaluar akoma “inati” për këtë.

 

Këshilltari i radhës që është i vetëm në Kuvendin e Gjilanit është edhe Bajram Hasani, që kishte hyrë si kandidat i PDK-së por që më vonë e kishte braktisur këtë subjekt për të kaluar në NISMA, ku thotë se tani përfaqëson interesat e këtij subjekti.

 

Përndryshe, ditë më parë Hasani kishte pohuar për 2L ONLINE, se planifikon dhe është gati krijimi edhe i një grupimi të ri të këshilltarëve në KK të Gjilanit, ku do të bënë pjesë ai, por edhe disa këshilltarë tjerë gjilanas. Edhe ai, para seancës së fundit ka pohuar se nuk do ta votojë statutin nëse del në Kuvend (në atë seancë megjithatë u tërhoq nga rendi i ditës ajo çështje).

 

Mësohet nga 2L ONLINE se ky kundërshtim nuk ka të bëjë me ndonjë gjë tjetër, por me atë se nëse themelohet Grupimi i ri, mund të pritet që ai të ofrohet me LDK për të qenë pjesë e koalicionit qeverisës, por me këtë atëherë do të kërkohet edhe hisja. 
Kjo, mund të pritej lehtë pasi në këtë mund të ketë ndikuar edhe fakti që në nivelin nacional Nisma është pjesë e bllokut ku është edhe LDK, andaj për Hasanin, nuk do të ishte problem që edhe në Gjilan të bëhen bashkë, pasi edhe të tjerët që mund të jenë pjesë e këtij grupimi, që pretendon Hasani, janë të afërt me LDK.

 

Të dalim tani edhe tek dy këshilltarë tjerë Selvete Shurdhani, PD dhe Sejdullla Kadriu, Vatra, që kanë një karakteristikë të veçantë pasi,që të dyja këto subjekte që ishin lidhur në partneritet me LDK-në Gjilan, kishin lidhur pastaj partneritet me PDK-në në nivelin qendror, me rastin e zgjedhjeve nacionale, gjë e cila i kishte komplikuar paksa gjërat.

 

Qëndrimin e PD-së në Gjilan mund ta determinon qendra ndërsa kur jemi tek Lëvizja Vatra, ajo vazhdon të këmbëngulë edhe për hapjen sa më parë të Zyrës për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, dhe mbi të gjitha, në atë se ajo duhet ta ketë rolin kryesor në këtë Zyre, andaj edhe është shumë e interesuar që kjo tu mundësohet nga Haziri.

 

Sidoqoftë, për këto që u shkruan më lartë duhet pritur zhvillimet për të parë se si do të shkojnë gjërat, ndërsa ti kthehemi edhe njëherë deklaratave të kryetarit Haziri të bëra sot mbi këtë çështje.

 

Ai tha se ri-formatimi i qeverisë është shumë i nevojshëm sikur që është edhe nevoja e ndryshimit të statutit

 

Sipas Hazirit, nevojat e ndryshimit të statutit të Komunës janë të nevojshme dhe i vetmi qëllim i ndryshimeve sipas tij është funksionalizimi i Asamblesë Komunale dhe i administratës, e cila, ka nevojë të madhe për ndryshime dhe ristrukturim të funksionimit dhe efikasitetit ndaj qytetarëve.

 

“Qëllim i vetëm i ndryshimeve në statutin e Komunës së Gjilanit është funksionalizimi dhe efikasiteti i asamblesë komunale dhe i administratës në përgjithësi në Komunën e Gjilanit. Nga sot kam filluar po ashtu bisedimet me partitë politike për rishikimin e koalicionit qeverisës dhe për riformatimin e qeverisë lokale. Ndryshimet me drejtori do të ndodhin, sikur që do të ndodhin edhe ndryshime në zyrat kryesore të administratës”, ka thënë Haziri.

 

Sipas tij, do të bëhet një administratë më e re dhe më femërore. “Burrat nuk janë treguar agresiv në menaxhimin dhe zbatimin e politikave që i kemi premtuar më 24 dhjetor kur i kemi marrë zyrat, atëherë të shohim se si do ta gjejmë rrugën për t’i zbatuar këto politika edhe pse unë jam në përgjithësi i kënaqur me të arriturat, po ka ende shumë punë”, ka thënë Haziri. /2L ONLINE/

Kthehu mbrapa

Shto koment