A i dështoi Lutës, “eksperimenti”?!

29.08.2016 (komentet: 0)

Duket se Kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri – Luta, ka vendosur në tavolinën e tij të punës çështjen e rikthimit të dy drejtorive komunale, të asaj për Kulturë, Rini e Sport dhe të Inspekcionit. Përgjatë qeverisjes së tij, Haziri kishte shuar këto drejtori, duke i shpërndarë inspektorët nëpër drejtori të tjera, si dhe duke zhbërë Drejtorinë e Kulturës për të krijuar Njësitin për Kulturë,Rini e Sport, me synimin e dekoncentrimit të tyre dhe pavarësimit , të secilit si njësi në vete edhe me buxhet.

 

 

Madje, nga kreu i komunës ishte emëruar edhe Task-Forca katër anëtarësh për dekoncentrimin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

 

Bashkim Nexhipi –ishte caktuar ta udhëheq Task-Forcën për Kulturë, Rini dhe Sport
Kujtim Shahiqi - Njësinë për Kulturë
Malazog Hoxha – Njësinë për Sport
Genc Mustafa – Njësinë për Rini

 

Ndonëse ata ishin në këto poste qysh nga fillimi i dhjetorit të vitit 2015, Portali 2LONLINE, ka mësuar se tani më, me vendim të kreut të komunës, ata janë liruar prej detyrës me të cilën ishin ngarkuar. Këtë, për Portalin 2L ONLINE, e ka konfirmuar edhe Arbër Ismajli, Shef i Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Gjilanit.


Arbër R. Ismajli

 

Ismajli i ka deklaruar 2LONLINE, se Kryetari i Komunës së Gjilanit është në fazën finale të vlerësimit të punës së secilit drejtor, veç e veç, e edhe të udhëheqësve të njësive, duke përfshirë këtu edhe ata të Njësisë, për Kulturë, Rini e Sport. Ai ka thënë se vlerësimi në këto njësi bëhet në bazë të planeve dinamike të punës që i kanë dorëzuar vet drejtuesit e këtyre njësive dhe nga kjo do të vlerësohet performanca, angazhimi dhe përkushtimi i secilit, për të parë se janë përmbushur dhe realizuar detyrat dhe obligimet e marra.

 

Por, duket se analizat e bërë deri më tani nuk rezultojnë se janë arritur objektivat e Task-Forcës së krijuar për Njësinë për Kulturë, Rini e Sport. Së paku, thuhet se kreu i komunës së Gjilanit duket se nuk eshtë i kënaqur me këtë, andaj përflitet se çështja e rikthimit të dy drejtorive, të asaj për Kulturë, Rini e Sport si dhe të Inspekcionit, tani më ndodhet në tryezën e kryetarit për shqyrtim. Një gjë të tillë, se është ka mendohet për rikthim të këtyre dy drejtorive si pjesë e kabinetit të qeverisë lokale, nuk e mohon as Arbër Ismajli, Shefi i Kabinetit të Kryetarit të Komunës, ndërkohë që shtatori mund të jetë muaji që mund të sqarojë shumë pikëpyetje në këtë drejtim.

 

Në ndërkohë, rikujtojmë se, Teatri i Gjilani vazhdon të jetë akoma pa drejtor. /2L ONLINE/

Kthehu mbrapa

Shto koment