A do ta bartë një rrugë në Pozheran të Vitisë emrin e Sinan Hasanit?!

05.07.2015 (komentet: 0)

Në Pozheran të Vitisë pritet që një rrugë ta mbajë emrin e Sinan Hasanit ish Presidentit të ish Jugosllavisë (1986/ 1987), por lidhur me këtë pati reagime e kundër reagime. 

Organizata e veteranëve të luftës të UÇK-së, Dega në Gjilan, nëpërmjet kreut  të saj Ahmet Daku, kishte reaguar duke thënë se rruga në fshatin e lindjes së Sinan Hasanit, në Pozheran, nuk duhet të marrë emrin e ish-presidentit, i cili është akuzuar se ka qenë pjesë e një regjimi që shtypi shqiptarët etnikë gjatë kohës që ai ishte në detyrë në vitet 1986-1987. Në anën tjetër për përfaqësuesit e Komunës së Vitisë emri i rrugës u miratua në vitin 2014 pasi propozimet u rishikuan nga komisioni komunës dhe asambleja e miratoi atë.

Por, pas këtij kundërshtimi të veteranëve të UÇK-së që një rruge në Pozheran t’i mos i lihet emri i ish kryetarit të Jugosllavisë së dikurshme, kanë reaguar pasardhësit e Sinan Hasanit. Një reagim iu është shpërndarë sot medieve nga avokati Shemsedin Pira në emër të familjes së Sinan Hasanit,
I ua sjellim reagimi i plotë:

 

Reagim i familjes së Sinan Hasanit, përfaqësuar nga avokati Shemsedin Pira

Të nderuara media,

Ne familjarët e Sinan Hasanit jemi të zhgënjyer me disa paraqitje fëminore rreth figurës së Sinan Hasanit që lidhet me emërtimin e një rrugë në Pozheran të Vitisë, ku ditëve të fundit reagoj Shoqata e Veteranëve të Luftës.

Ne mendojmë se për figurën e Sinan Hasanit nuk mund të flasin gjeneratat e reja dhe ata që nuk e kanë njohur kohën e vështirë në të cilën janë ndodhur shqiptarët e asaj kohe.

Sinan Hasani në tërë veprimtarinë e tij është munduar që të bëjë zgjidhje të duhura për shqiptarët në ish Jugosllavi, kuptohet duke ju përshtatur rrethanave të atëhershme.

Puna, veprimtaria dhe kontributi i Sinan Hasanit nuk mund të mohohet nga asnjë personalitet, veçanërisht nga njerëz të rinj dhe të palexuar. Sinan Hasani mbetet të studiohet nga historian eminent, ata që vërtet e kanë mision zbardhjen e historisë dhe guximin e madh për ta thënë gjithmonë të vërtetën. Të gjithë ata që dyshojnë në aktivitetin dhe veprimtarin e Sinan Hasanit duhet të kenë guxim, kurajo dhe përkushtim që të shfletojnë arkivat e Shkupit, Tiranës, Stambollit, dhe të arhivave me ndikim për ta kuptuar rolin tejet konstruktiv që ka luajtur Sinan Hasani.

Si pasardhës i tij unë mburrem me punën e tij, mburrem me rezultatet e atëhershme që ka dhënë në një gjendje jo shumë normale politike, sepse ka pasur fërkime, heqje kokash e shumë presione të ndryshme të stilit të UDB-së e të OZNAS.

I sugjerojë gjeneratave të reja, pse jo edhe veteranëve të luftës dhe Këshillit të fshatit që mos të bien nën ndikimin e etheve ditore. Sinan Hasani ka qenë kalibër për kohën e vet, ka qenë politikan me një pedigre që rrallëkush ka mundur ta gëzojë në atë sistem. Nuk është dorëzuar as para furtunave më të fuqishme dhe nuk do të dorëzohet as tani pas vdekjes. Jemi këmbëngulës që figura e Sinan Hasanit të vlerësohet e çmohet sipas meritave të atëhershme. Jam i sigurt se historiografia shqiptare do të jetë tepër e mangët pa vendin meritor që duhet ta ketë Sinan Hasani.

Vet fakti që Këshilli i fshatit nuk është kundër tregon se Sinan Hasani ka simpati nga bashkëvendësit e vet. Atëherë neve si familjar vetëm na mbetet që të ndjekim rrugët institucionale për të ardhur deri tek emërtimi, por edhe nuk do të lejojmë që dikush ta njollos figurën e Sinan Hasanit.

Me respekt

Avokat dr.sc. Shemsedin Pira

/kokaj .net/

Kthehu mbrapa

Shto koment